Një konflikt për pagesën e një kamerieri 18-vjeçar rrezikoi të përfundonte në një ngjarje të rëndë kriminale në zonën e Malit të Robit, në Golem.
Gjithçka nisi në një hotel të zonës, ku Genti Nela, 18 vjeç, i punësuar si kamerier, dyshohet se u dhunua pas një konflikti që lidhej me pagesën për punën e kryer. I riu pësoi dëmtime dhe u transportua në Spitalin e Kavajës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Por konflikti nuk përfundoi me kaq.
Sipas policisë, gjatë veprimeve hetimore u sigurua informacion se xhaxhai i të riut, Melison Nela, 47 vjeç, ishte armatosur dhe ishte nisur drejt hotelit. Dyshimet janë se ai kërkonte të hakmerrej ndaj personave që kishin dhunuar nipin e tij.
Policia ndërhyri përpara se situata të përshkallëzohej, duke lokalizuar dhe ndaluar automjetin e 47-vjeçarit pranë hotelit.
Gjatë kontrollit, brenda një çante shpine u gjet një kallashnikov, tre karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë. Melison Nela u arrestua.
Ndërkohë, hetimet zbuluan edhe një tjetër detaj që ka ngritur dyshime: pas dhunimit të 18-vjeçarit, vendi i ngjarjes dyshohet se ishte pastruar. DVR-ja ku ruheshin pamjet e kamerave të sigurisë ishte hequr, ndërsa kabllot e kamerave ishin prerë.
Për dhunimin e kamerierit, policia arrestoi Florian Habilajn, 28 vjeç, dhe Enold Dragotin, 20 vjeç. Arbër Habilaj, 36 vjeç, është shpallur në kërkim.
Nga një konflikt për pagën e një 18-vjeçari, situata rrezikoi të merrte një tjetër rrjedhë, me një kallashnikov dhe dhjetëra fishekë që, sipas dyshimeve të policisë, do të përdoreshin për hakmarrje.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive të personave të përfshirë.


















