Gati 30 vite pas vrasjes që tronditi botën e muzikës, një juri në Las Vegas ka shpallur fajtor Duane “Keffe D” Davis për rolin e tij në vrasjen e reperit legjendar Tupac Shakur.
Davis, 63 vjeç, ish-drejtues i një bande rruge, u shpall fajtor për vrasje të shkallës së parë me armë vdekjeprurëse. Jurisë iu deshën rreth tre orë për të marrë vendimin, pas një procesi gjyqësor që zgjati 11 ditë.
Ai rrezikon dënimin maksimal me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht, ndërsa masa e dënimit pritet të shpallet më 13 tetor. Pas vendimit, Davis i tha gjykatës se synon ta apelojë çështjen.
Hakmarrja që përfundoi me vrasjen e Tupac
Sipas prokurorisë, motivi i sulmit lidhej me një konflikt të ndodhur vetëm disa orë përpara atentatit.
Tupac Shakur dhe personat që e shoqëronin ishin përfshirë në rrahjen e nipit të Davis. Prokurorët argumentuan se, sipas kodit të rrugës dhe bandave, Davis nuk mund ta linte ngjarjen pa u hakmarrë.
“Çfarë bëri ai? Siguroi një armë, mblodhi grupin e tij dhe u nis në kërkim të zotit Shakur”, deklaroi prokurori Binu Palal para jurisë.
Sipas dëshmive të paraqitura gjatë procesit, Davis dhe tre persona të tjerë, mes tyre edhe nipi i tij, hipën në një Cadillac të bardhë dhe nisën të kërkonin Tupac Shakur dhe drejtuesin e kompanisë së tij diskografike, Marion “Suge” Knight.
Davis kishte deklaruar më parë para hetuesve se ia kishte kaluar armën personave që ndodheshin në sediljen e pasme. Kur grupi lokalizoi makinën ku ndodheshin Tupac dhe Knight, një nga personat në pjesën e pasme të Cadillac-ut hapi zjarr.
Tupac u qëllua disa herë më 7 shtator 1996 në Las Vegas dhe ndërroi jetë gjashtë ditë më vonë, më 13 shtator, vetëm 25 vjeç.
Rrëfimet që e vunë pas hekurave dekada më vonë
Policia kishte dyshuar prej kohësh për Davis, por për vite me radhë nuk kishte prova të mjaftueshme për ta akuzuar.
Situata ndryshoi kur vetë “Keffe D” nisi të fliste publikisht për atë që dinte rreth vrasjes. Intervistat e tij, regjistrimet e takimeve të fshehta me hetuesit dhe libri autobiografik i vitit 2019, “Compton Street Legend”, u kthyen në pjesë të rëndësishme të çështjes së prokurorisë.
Gjatë gjyqit, jurisë iu transmetuan orë të tëra regjistrimesh ku Davis fliste për zemërimin pas rrahjes së nipit të tij dhe për ngjarjet që çuan drejt atentatit.
Mbrojtja kundërshtoi përdorimin e librit si provë, duke pretenduar se përmbajtja e tij nuk duhej konsideruar një rrëfim faktik.
“Po lexoni një libër që është trillim dhe jo fakt, por shteti kërkon t’ju bëjë të besoni se kjo është një lloj rrëfimi fajësie”, argumentoi avokati i Davis.
Juria, megjithatë, pranoi argumentet e prokurorisë dhe e shpalli 63-vjeçarin fajtor, duke sjellë një nga zhvillimet më të rëndësishme në një çështje që për afro tri dekada mbeti një prej mistereve më të famshme të historisë së hip-hop-it.


















