Një nga historitë më të pazakonta që lidhen me Pablo Escobarin është rikthyer në vëmendje pas rrëfimit të djalit të tij, Sebastián Marroquín, i njohur më parë si Juan Pablo Escobar. Sipas tij, në fund të viteve ’80, bosi famëkeq kolumbian i drogës kishte menduar të sillte Michael Jackson në Kolumbi për një koncert privat, por pas ftesës fshihej një plan shumë më i errët.
Historia lidhet me kohën kur Juan Pablo ishte ende fëmijë dhe Michael Jackson ishte idhulli i tij. I lodhur nga grupet muzikore që performonin zakonisht në festat familjare, ai i kishte kërkuar të atit që për ditëlindjen e tij të sillte në Hacienda Nápoles pikërisht “Mbretin e Pop-it”.
Sipas rrëfimit të Marroquín, Escobar e kishte marrë seriozisht kërkesën dhe ishte diskutuar mundësia e pagimit të një shume që shkonte deri në rreth 3 milionë dollarë për një performancë private të Michael Jackson në Kolumbi.
Por ajo që dukej si një dhuratë e jashtëzakonshme për të birin, sipas Marroquín, kishte një prapaskenë kriminale.
Ai ka treguar se mësoi se babai i tij kishte menduar ta mbante Michael Jackson peng pasi këngëtari të mbërrinte në pronën e tij. Në një rrëfim të mëhershëm për VICE, Marroquín kishte deklaruar se Escobar kishte folur për t’i kërkuar këngëtarit rreth 60 milionë dollarë në këmbim të largimit.
Për djalin e Escobarit, zbulimi ishte tronditës. Michael Jackson ishte një prej idhujve të tij dhe sipas rrëfimit të tij, ai kuptoi se dëshira për ta sjellë këngëtarin pranë familjes mund ta vendoste atë në rrezik.
Historia është rikthyer fuqishëm në vëmendje në vitin 2026 përmes serialit “Dear Killer Nannies: Criado por sicarios”, i frymëzuar nga fëmijëria dhe adoleshenca e Juan Pablo Escobarit.
Michael Jackson nuk shkoi në Hacienda Nápoles dhe plani i pretenduar nuk u realizua kurrë.
Rrëfimi, megjithatë, ofron një tjetër panoramë të botës së Pablo Escobarit në kulmin e fuqisë së tij dhe të mënyrës sesi, sipas të birit, edhe një dëshirë e pafajshme për të takuar yllin më të madh të muzikës pop mund të shndërrohej në një plan kriminal.


















