“Ulu në gjunjë dhe kërko falje! Mos e zgjat!” Këto janë fjalët që Jozefin Marku raportohet se i drejton Eduart Kuçit gjatë përplasjes fizike, pamjet e së cilës shkaktuan reagime në rrjetet sociale. Rreth 24 orë pas publikimit të tyre, këngëtari ka përfunduar në pranga.
Sipas raportimeve, Marku u arrestua në zonën e Kombinatit, ku u gjet i fshehur në banjën e banesës së një shoku të tij.
Përplasja mes dy ish-banorëve dyshohet se e ka zanafillën te deklaratat në rrjetet sociale. Kuçi raportohet se kishte ofenduar këngëtarin dhe e kishte kërcënuar me hakmarrje nëse shkonte në Kosovë.
Më pas, të dy janë përballur në rrugë. Debati verbal ka përshkallëzuar në dhunë, ndërsa përplasja është filmuar dhe pamjet janë shpërndarë në rrjet.
Në videot e publikuara, Marku shfaqet duke goditur disa herë Kuçin dhe duke i kërkuar llogari për deklaratat e mëparshme. Mes goditjeve dëgjohen edhe kërkesat që ai të ulet në gjunjë dhe të kërkojë falje.
Pas pamjeve të dhunës që qarkulluan me shpejtësi, ka ardhur ndërhyrja e policisë: këngëtari është ndaluar dhe rrethanat e ngjarjes mbeten objekt hetimi.


















