Një 23-vjeçar shqiptar është dënuar me 26 muaj burg në Angli, pasi përdorte uniformën dhe çantën e kompanisë Just Eat për t’u maskuar si korrier ushqimesh, ndërsa në të vërtetë shpërndante drogë në rrugët e Newcastle.
Olsi Vata lëvizte me biçikletë nëpër qytet, duke u përpjekur që aktiviteti i tij të kalonte pa tërhequr vëmendjen e policisë.
Ai u zbulua pasi efektivët që patrullonin gjatë natës në zonën e Byker e panë duke shkëmbyer sende me një person në rrugë. Sapo vuri re policinë, 23-vjeçari tentoi të largohej me biçikletë.
Efektivët u vunë në ndjekje të tij me sinjale zanore dhe drita policie, por Vata nuk ndaloi derisa përfundoi në një rrugë pa dalje.
Gjatë kontrollit, policia i gjeti 22 pako me drogë të klasës A, 16 pako me drogë të klasës B dhe 760 paund cash.
Hetimet vijuan me kontrollin e apartamentit të tij në Foundry Lane, ku u sekuestruan edhe 42 pako të tjera me drogë të klasës A, 88 pako të klasës B dhe mbi 3 mijë paund cash.
Sipas prokurorisë, kontrolli i telefonit të Vatës zbuloi gjithashtu një grup në WhatsApp, ku kishte mesazhe në një gjuhë të huaj, si dhe të dhëna për vendndodhje dhe çmime.
Në gjykatë u bë e ditur se shqiptari kishte jetuar prej disa vitesh në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar. Fillimisht ai kishte punuar në kantieret e ndërtimit në Londër, ndërsa mbrojtja pretendoi se, pasi mbeti pa punë, u zhvendos në Newcastle dhe nisi aktivitetin e paligjshëm nën drejtimin e një personi tjetër.
Gjykatësi Tom Moran e dënoi Olsi Vatën me 26 muaj burg në Newcastle Crown Court, duke e përshkruar atë si një shpërndarës aktiv droge në rrugë.
Gjatë kohës së kaluar në paraburgim, Vata raportohet se ka ndihmuar të burgosur të tjerë që nuk flasin anglisht, duke shërbyer si mentor për ta.


















