Momente paniku janë regjistruar mëngjesin e kësaj të marte në zonën e “21 Dhjetorit” në Tiranë, ku një pjesë e suvasë së një pallati 5-katësh është shkëputur dhe ka rënë në tokë, duke rrezikuar seriozisht jetën e kalimtarëve.
Ngjarja ndodhi rreth orës 08:00, në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit, pranë një banke të nivelit të dytë, ku çdo mëngjes qarkullojnë qindra qytetarë. Dëshmitarët tregojnë se rrëzimi i materialeve nga fasada ka shkaktuar frikë dhe alarm tek njerëzit që ndodheshin në afërsi.
Fatmirësisht, pavarësisht rrezikut të madh, nuk raportohet për persona të lënduar. Megjithatë, ngjarja ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e ndërtesave të vjetra në kryeqytet dhe rrezikun që ato paraqesin për qytetarët.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të incidentit. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se bëhet fjalë për një ngjarje aksidentale.
Banorët e zonës kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe kontrolle të detajuara të fasadave të pallateve, për të shmangur një tragjedi të mundshme në të ardhmen.


















