SPAK zbardh dosjen e Ermal Beqirajt: Mbi 2 milionë euro në banka, apartamente dhe një kështjellë 2.6 milionë euro në Francë
Prokuroria e Posaçme ka dhënë detaje zyrtare mbi arrestimin në Francë të biznesmenit Ermal Beqiraj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare.
Sipas SPAK, ndaj Beqirajt po zhvillohen hetime për disa vepra të rënda penale, mes të cilave “konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “heqje e paligjshme e lirisë”, “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “grup i strukturuar kriminal”, “pastrim i produkteve të veprës penale” dhe korrupsion aktiv.
Gjykata e Posaçme kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” në dhjetor të vitit 2025. Pas largimit të tij nga Shqipëria, Beqiraj u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana nëpërmjet një “njoftimi të kuq”.
Në qershor të vitit 2026, SPAK kërkoi bashkëpunimin e autoriteteve franceze, pasi kishte dyshime se biznesmeni ndodhej në territorin e Francës.
Hetimet e zhvilluara nga autoritetet franceze çuan në identifikimin e disa pasurive që dyshohet se kanë origjinë kriminale. Mes tyre janë llogari bankare me vlerë mbi 2 milionë euro, dy apartamente, mjete motorike, si dhe një kështjellë në departamentin Oise, me vlerë rreth 2.6 milionë euro.
SPAK njofton se këto pasuri janë bërë objekt i kërkesave për ndihmë juridike, me synim sekuestrimin e tyre në kuadër të bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe franceze.
Ermal Beqiraj u arrestua më 24 korrik 2026, pasi hyri me një avion të lehtë në hapësirën ajrore të kufizuar pranë centralit bërthamor të Penly-t. Avioni u detyrua të ulej në një aerodrom në departamentin Somme, ku biznesmeni u ndalua nga autoritetet franceze.
Gjykata franceze vendosi vijimin e paraburgimit të tij, në pritje të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë.
Ndërkohë, SPAK bën me dije se hetimet financiare vazhdojnë për identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të tjera të mundshme. Kërkesa për ekstradimin e shtetasit E.B. i është përcjellë Ministrisë së Drejtësisë, për t’iu dërguar më pas autoriteteve franceze.


















