Trupi i pajetë i 31-vjeçarit shqiptar Denaldo Maxhallaku është gjetur në një pus rreth 10 metra të thellë, në zonën e Longianos, në provincën e Forli-Cesenës, në Itali. Prokuroria e Forlit ka nisur hetimet për vrasje, pasi dyshohet se i riu është qëlluar me armë zjarri.
Trupi u zbulua në zonën e Via Felloniche gjatë kërkimeve të karabinierëve për gjetjen e të riut të shpallur të zhdukur. Pranë pusit raportohet se janë gjetur edhe disa gëzhoja pistolete, të cilat mund të shërbejnë si prova për zbardhjen e ngjarjes. Për nxjerrjen e trupit u zhvillua një operacion i posaçëm, ku u angazhuan edhe njësi me qen kërkimi.
Hetimet drejtohen nga Prokuroria e Forlit, nën drejtimin e prokurorit Enrico Cieri. Sipas informacioneve paraprake, viktima mund të ketë qëndruar për disa ditë brenda pusit, ndërsa rrethanat e vdekjes mbeten ende për t’u sqaruar.
Makina iu gjet e djegur një ditë pas zhdukjes
Kontakti i fundit i Denaldo Maxhallakut me familjen ishte regjistruar më 7 tetor 2026, rreth orës 20:30, në zonën e Savignano sul Rubicone.
Më 8 tetor, automjeti i tij, një Fiat Punto e zezë, u gjet i djegur plotësisht në Roncofreddo, pranë lumit Rubicone, disa kilometra larg vendit ku u zbulua trupi.
Pas këtij zbulimi, karabinierët intensifikuan kërkimet në zonën mes Roncofreddos dhe Soglianos, përgjatë rrugës provinciale 85, e njohur si Fondovalle Rubicone.
Gjetja e trupit dhe provat e mbledhura në vendngjarje pritet të ndihmojnë hetuesit në rindërtimin e lëvizjeve të fundit të 31-vjeçarit dhe identifikimin e personave përgjegjës. Hetimet vijojnë për të përcaktuar dinamikën dhe motivet e mundshme të ngjarjes.

















