Policia e Tiranës ka ndaluar Jozefin Markun, 30 vjeç, në lidhje me videon e publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një konflikt dhe dhunimi i një të riu. Nga verifikimet e policisë rezultoi se pamjet ishin filmuar në afërsi të mbikalimit të Rinasit.
Sipas njoftimit zyrtar, Marku dyshohet për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.
Në kuadër të të njëjtit hetim është ndaluar edhe K. N., 31 vjeç, i cili dyshohet se ka drejtuar automjetin tip “Land Rover” të përdorur në ngjarje. Ai po hetohet për disa vepra penale, mes tyre përkrahje të autorit të krimit, armëmbajtje pa leje, heqje të paligjshme të lirisë, plagosje të lehtë me dashje dhe kanosje.
Gjatë kontrollit në banesën e 31-vjeçarit, policia njoftoi se gjeti dhe sekuestroi një sasi municioni, ndërsa u sekuestrua edhe automjeti “Land Rover”, që dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.
Ndërkohë, A. H., 48 vjeç, dhe K. V., 27 vjeç, janë shpallur në kërkim. Hetuesit po punojnë gjithashtu për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në ngjarje.
Sipas policisë, të dyshuarit, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë dhunuar E. K., 26 vjeç, me pretendimin se i riu kishte fyer njërin prej tyre.
Për dokumentimin e ngjarjes, Policia e Tiranës ka bashkëpunuar edhe me Policinë e Lezhës. Hetimet vijojnë për kapjen e personave në kërkim dhe zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë.


















