Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot Elbasanin, ku një qytetar dyshohet se i ka shpëtuar një atentati brenda një lokali të frekuentuar.
Sipas të dhënave paraprake, autori është afruar pranë tavolinës ku ndodhej shënjestra dhe ka nxjerrë armën e zjarrit, duke ia drejtuar nga një distancë shumë e afërt.
Por në momentin vendimtar, arma nuk ka funksionuar. Mekanizmi i pistoletës është bllokuar dhe autori nuk ka mundur të kryejë qitjen.
Kamerat e sigurisë kanë regjistruar të gjithë skenën. Në pamje shihet momenti kur personi i shënjestruar kupton se arma ka dështuar dhe reagon menjëherë, ndërsa klientët e tjerë përfshihen nga paniku.
Pas dështimit të atentatit, autori largohet me shpejtësi nga lokali, duke përfituar nga rrëmuja e krijuar.
Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe motivit që qëndron pas atentatit.
Pamjet e kamerave të sigurisë pritet të jenë një ndër provat kryesore për hetuesit.


















