Një 30-vjeçar shqiptar është dënuar me dy vite e gjysmë burg për përfshirjen e tij në një fermë gjigante kanabisi në Britaninë e Madhe, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 4.5 milionë paundësh.
Jurgen Toli u dënua të hënën, më 14 shtator, nga Gjykata e Kurorës në Carlisle, për rolin e tij në kultivimin e organizuar të kanabisit.
Operacioni në shkallë industriale u zbulua nga policia më 10 maj 2023, në një ambient në Lancaster Street, pranë Botchergate, në Carlisle.
Gjatë kontrollit, efektivët zbuluan një strukturë të plotë të ngritur për prodhimin e kanabisit dhe sekuestruan një sasi të konsiderueshme droge. Sipas autoriteteve, bëhej fjalë për një nga fermat më të mëdha të kanabisit të zbuluara ndonjëherë në Cumbria.
Në momentin e ndërhyrjes së policisë, Toli, me banim në Edmunds Road në Londër, tentoi të largohej nga vendi, por gjatë përpjekjes për t’u arratisur pësoi fraktura në të dyja këmbët. Lëndimet e tij sollën edhe shtyrjen e procedurave gjyqësore ndaj tij.
Pas përfundimit të procesit, 30-vjeçari u paraqit para gjykatës dhe u dënua me dy vite e gjysmë burg. Dy persona të tjerë janë dënuar më herët në lidhje me të njëjtin hetim.
Detektivi James Bowness deklaroi se ferma ishte një nga kultivimet më të mëdha të kanabisit të zbuluara në Cumbria dhe se goditja e saj kishte ndikuar në furnizimin me drogë të paligjshme në zonë.
Policia theksoi se lufta kundër krimit të rëndë dhe të organizuar mbetet prioritet, ndërsa informacionet e qytetarëve konsiderohen thelbësore për identifikimin dhe goditjen e aktiviteteve të tilla kriminale.


















