Interesi i bizneseve për marrëveshjet e parashikuara nga ligji i paqes fiskale ka qenë i ulët në fazën e parë të zbatimit. Sipas Ministrisë së Financave, nga 62 aplikime të paraqitura, vetëm 19 biznese kanë përfunduar procedurat.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se pavarësisht kritikave se ligji mund të favorizonte korrupsionin, bizneset janë të informuara për kriteret e tij. Ndërkohë, falja e detyrimeve tatimore dhe doganore ka zgjuar interes më të madh, me rreth 416 milionë euro detyrime dhe gjoba të përfshira deri tani.
Ministria raportoi gjithashtu performancë pozitive të ekonomisë, me parashikim për 4% rritje ekonomike deri në fund të vitit 2026. Sipas projeksioneve, PBB-ja pritet të arrijë 29 miliardë euro këtë vit dhe 35 miliardë euro deri në fund të mandatit, ndërsa të ardhurat për frymë parashikohen në 12.200 euro.
Nga ana e tij, drejtori i Doganave, Besmir Beja, deklaroi se Shqipëria po avancon në përafrimin e procedurave me Bashkimin Evropian, me synimin për mbylljen e kapitujve përkatës brenda vitit 2027.
Sa i përket inflacionit, ai arriti në 2.7% gjatë gjashtëmujorit të parë. Ministria e Financave nuk përjashton mundësinë e rikthimit të Bordit të Transparencës për çmimet e karburanteve, nëse zhvillimet në tregjet ndërkombëtare e bëjnë të nevojshme.


















