Arben Ahmetaj ka hedhur akuza të reja gjatë intervistës së tij në Syri TV, këtë herë duke përmendur një aplikacion komunikimi të enkriptuar.
Ish-zëvendëskryeministri pretendoi se ministrja Belinda Balluku dhe kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, komunikojnë përmes “Threema”, një platformë që ofron komunikim të enkriptuar dhe që mund të përdoret pa lidhur domosdoshmërisht llogarinë me një numër telefoni apo adresë emaili.
Gjatë intervistës, Ahmetaj e solli në vëmendje “Threema”-n duke e krahasuar me aplikacione të tjera të komunikimit të koduar, si “Sky ECC”, dhe ngriti pikëpyetje mbi komunikimet që ai pretendon se zhvillohen mes dy zyrtarëve.
Megjithatë, ish-zëvendëskryeministri nuk publikoi prova që të konfirmojnë se Balluku dhe Hita e përdorin këtë aplikacion dhe as bëri të ditur se çfarë përmbajtjeje do të kishin komunikimet e pretenduara.
Deklaratat e Ahmetajt shtojnë një tjetër element në debatin publik mbi komunikimet mes zyrtarëve të lartë dhe drejtuesve të institucioneve shtetërore.


















