Presidenti amerikan Donald Trump ka tërhequr vëmendjen gjatë një takimi të nivelit të lartë me udhëheqës të Lindjes së Mesme në Nju Jork, teksa ka bërë një deklaratë të fortë në adresë të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.
Në prani të drejtuesve të vendeve të Gjirit dhe përfaqësuesve të disa shteteve të rajonit, Trump u kërkoi të pranishmëve të mos kërkonin telashe me Erdoganin, të cilin e përshkroi si një “arrë të fortë” dhe si një mik të tij.
“Mos u ngatërroni me të. Ai është një ‘tough cookie’”, u shpreh Trump, duke vlerësuar publikisht presidentin turk.
Deklarata u bë në kuadër të takimeve diplomatike që shoqërojnë punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku zhvillimet dhe tensionet në Lindjen e Mesme janë ndër temat kryesore të diskutimeve.
Mesazhi i Trump mori vëmendje veçanërisht për mënyrën e drejtpërdrejtë me të cilën ai foli për Erdoganin, duke evidentuar njëkohësisht marrëdhënien e afërt personale që thotë se ka me presidentin turk dhe peshën e Ankarasë në zhvillimet rajonale.


















