Inflacioni në Shqipëri u rrit në 3.2% gjatë muajit qershor 2026, nga 2.4% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke arritur nivelin më të lartë që nga janari i vitit 2024.
Sipas të dhënave të INSTAT, rritja e çmimeve është nxitur kryesisht nga ushqimet, qiratë, energjia dhe transporti. Ndikimin më të madh e pati grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, i ndjekur nga “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”.
Rritje çmimesh janë regjistruar edhe te transporti, restorantet dhe shërbimet e akomodimit, mobiljet dhe pajisjet e shtëpisë, pijet alkoolike dhe duhani, si edhe te shërbimet financiare, arsimi dhe shëndetësia. Ndërkohë, grupi i vetëm që shënoi ulje ishte ai i veshjeve dhe këpucëve, me një rënie prej 0.9%.
Me nivelin 3.2%, inflacioni ka kaluar objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, banka ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.5%, duke vlerësuar se rritja e inflacionit lidhet kryesisht me shtrenjtimin e naftës dhe energjisë në tregjet ndërkombëtare dhe pritet të jetë e përkohshme.
Sipas INSTAT, krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar te argëtimi, sporti dhe kultura me 6.1%, e ndjekur nga sigurimet dhe shërbimet financiare me 5.1% dhe qiratë, uji, energjia dhe karburantet me 4.8%.


















