Aleksandar Vuçiç ka dhënë dorëheqjen nga posti i presidentit të Serbisë mbrëmjen e së dielës, 27 shtator, duke u larguar nga drejtimi i shtetit tetë muaj përpara përfundimit të mandatit të tij.
Vendimi i Vuçiç lidhet me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit, ku ai do të hyjë në garë si kandidat i Partisë Përparimtare Serbe (SNS), këtë herë për postin e kryeministrit.
Vuçiç është zgjedhur dy herë president i Serbisë, ndërsa mandati i tij aktual do të përfundonte në maj të vitit 2027. Kushtetuta serbe nuk i lejon atij të kandidojë për një mandat të tretë presidencial.
Pas dorëheqjes së Vuçiç, drejtimin e përkohshëm të shtetit pritet ta marrë Ana Bërnabiç, kryetarja e deritanishme e Kuvendit të Serbisë. Ajo mund ta ushtrojë detyrën e presidentit për një periudhë jo më të gjatë se tre muaj.
Në adresimin e tij për publikun, Vuçiç bëri të ditur se raundi i parë i zgjedhjeve për presidentin e ri të Serbisë do të zhvillohet deri në fund të dhjetorit.
Krahas dorëheqjes, Vuçiç njoftoi edhe vendimin për amnistimin dhe faljen e 49 personave. Sipas tij, 23 prej tyre lidhen me ngjarjet që kanë shoqëruar vendin gjatë një viti e gjysmë të fundit.
“Prej tyre, 23 persona janë të lidhur me të gjitha këto ngjarje të tmerrshme nëpër të cilat kemi kaluar gjatë një viti e gjysmë të fundit”, deklaroi Vuçiç.
Largimi i tij nga Presidenca i hap rrugën një periudhe të re zgjedhore në Serbi, me votimet e parakohshme parlamentare të planifikuara për 25 tetor dhe zgjedhjet presidenciale që pritet të zhvillohen deri në fund të vitit.


















