Një rrjet i fuqishëm i trafikut të kokainës, me vlerë rreth 7 milionë paund, është shkatërruar nga autoritetet britanike pas një hetimi shumëvjeçar që zbuloi lidhje të ngushta me krimin e organizuar shqiptar.





Tetë persona u dënuan me mbi 82 vite burg në total, pasi u shpallën fajtorë për pjesëmarrje në një skemë të sofistikuar të shpërndarjes së rreth 70 kilogramëve kokainë në Wiltshire dhe rajonin jugperëndimor të Anglisë, gjatë viteve 2016–2020.
Sipas Policisë së Wiltshire, rrjeti drejtohej nga vëllezërit Warren dhe Kelroy Allison, të cilët blinin kokainë në sasi të mëdha dhe e shpërndanin përmes një rrjeti bashkëpunëtorësh, duke përdorur aplikacione komunikimi të koduara, automjete me vende të fshehta dhe korrierë të besuar.
Hetimet zbuluan se furnizuesit e kokainës ishin dy shtetas shqiptarë, Ledian Hoxha (38 vjeç) dhe Pjeter Pisha (37 vjeç). Të dy tentuan të largoheshin nga Mbretëria e Bashkuar për t’iu shmangur drejtësisë, por u arrestuan dhe u dënuan përkatësisht me 7 vjet e 4 muaj dhe 6 vjet e 8 muaj burg.
Në këtë çështje u dënua edhe Enid Aliko (28 vjeç), i cili mori 4 vite burg, pasi siguronte pajisje komunikimi të koduara dhe shërbente si lidhje mes grupit kriminal shqiptar dhe rrjetit britanik pas arrestimit të drejtuesve kryesorë.
Organizatori kryesor i grupit, Warren Allison, u dënua me 23 vite burg, ndërsa vëllai i tij Kelroy Allison me 16 vjet e 6 muaj. Anëtarët e tjerë të rrjetit morën dënime që varionin nga 8 deri në 9 vite burg.
Gjatë hetimeve, policia zbuloi se fitimet nga trafiku i drogës përdoreshin për të financuar një stil jetese luksoz. Warren Allison kishte blerë automjete të shtrenjta, përfshirë një Lamborghini Huracán, një Mercedes C63 AMG dhe një Audi RS6, të gjitha të financuara nga paratë e përfituara nga trafiku i kokainës.
Pas shpalljes së vendimit, Policia e Wiltshire deklaroi se operacioni çmontoi një nga rrjetet më të mëdha të trafikut të drogës në rajon dhe theksoi se lufta kundër krimit të organizuar do të vazhdojë pa kompromis.


















