Një lajm i trishtë ka prekur sportin shqiptar. Profesori dhe studiuesi i njohur i shkencave sportive, Artan Pogoni, është ndarë nga jeta në moshën 54-vjeçare.
Sipas informacioneve të raportuara, Pogoni dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e një arresti kardiak gjatë ditës së sotme, 28 korrik.
Artan Pogoni ishte Doktor i Shkencave dhe Profesor Universitar, me një profil të pasur akademik të ndërtuar mbi katër diploma universitare. Gjatë karrierës së tij ai dha një kontribut të rëndësishëm në fushën e shkencave sportive, me fokus të veçantë te rekreacioni sportiv, metodologjia e stërvitjes dhe volejbolli.
Veprimtaria e tij shkencore përfshin 12 botime akademike dhe dy tekste mësimore, të cilat janë përdorur si literaturë reference nga studentë dhe profesionistë të fushës. Përmes punës së tij shumëvjeçare, Pogoni la një gjurmë të rëndësishme në zhvillimin e studimeve sportive në Shqipëri.

















