Biznesmeni Ermal Beqiraj, i përfshirë në dosjen e AKSHI-t, është arrestuar në Francë dhe pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë. Sipas raportimeve, arrestimi i tij ka ndodhur në rrethana të pazakonta, pasi u ndalua teksa pilotonte një avion të vogël mbi termocentralin bërthamor Penly, në rajonin Seine-Maritime.
Mediat franceze bëjnë me dije se Beqiraj po fluturonte në një lartësi prej rreth 3.700 këmbësh (afërsisht 1.200 metra), por në një moment uli avionin në rreth 3.500 këmbë, nën kufirin e lejuar për fluturimet mbi objekte strategjike dhe zona të ndjeshme. Për shkak të shkeljes, ai u interceptua nga një avion ushtarak francez dhe u detyrua të ulej, ku më pas u arrestua nga autoritetet.
Gjatë kontrollit fizik, autoritetet konstatuan se Beqiraj mbante me vete tre pajisje AirTag, të cilat përdoren për lokalizimin dhe gjurmimin e personave ose objekteve. Prania e tyre ka tërhequr vëmendjen e hetuesve, megjithëse deri më tani nuk është bërë e ditur nëse ato lidhen me ndonjë veprimtari të dyshuar.
Sipas deklarimeve të tij para autoriteteve franceze, ulja nën lartësinë e lejuar ka qenë një gabim, pasi në atë moment po fliste në telefon me nënën e tij.
Termocentrali bërthamor Penly konsiderohet një objekt me rëndësi të veçantë strategjike. Përveç reaktorëve ekzistues, aty po ndërtohet edhe projekti EPR-2, një brez i ri reaktorësh bërthamorë që ka tërhequr interes ndërkombëtar.
Arrestimi i Beqirajt ka ndodhur të shtunën pasdite dhe, sipas informacioneve paraprake, ndaj tij pritet të nisë procedura e ekstradimit drejt Shqipërisë në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t.


















