Një ilaç i ri eksperimental për trajtimin e obezitetit po konsiderohet si një nga zhvillimet më premtuese në fushën e dobësimit. Bëhet fjalë për retatrutide, një injeksion javor i zhvilluar nga kompania amerikane Eli Lilly.
Në provat klinike, pjesëmarrësit kanë humbur mesatarisht rreth 30% të peshës trupore, rezultate që në disa raste i afrohen atyre të arritura përmes kirurgjisë bariatrike, pa pasur nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale.
Ndryshe nga medikamentet aktuale si Wegovy dhe Zepbound, retatrutide vepron mbi tre rrugë hormonale të lidhura me urinë dhe metabolizmin: GLP-1, GIP dhe glukagon. Kjo qasje e trefishtë synon të rrisë humbjen e peshës dhe të përmirësojë kontrollin metabolik.
Por përfitimet nuk lidhen vetëm me peshën. Në studime janë raportuar edhe ulje të dhimbjeve të gjurit nga osteoartriti dhe më pak episode të apnesë së gjumit.
Ilaçi ka treguar rezultate veçanërisht premtuese edhe te pacientët që nuk kanë reaguar mjaftueshëm ndaj terapive ekzistuese të bazuara në GLP-1.
Megjithatë, retatrutide nuk është pa efekte anësore. Disa pjesëmarrës kanë raportuar probleme gastrointestinale dhe, në dozën më të lartë, rreth 11% kanë ndërprerë trajtimin.
Retatrutide është ende duke u testuar në prova klinike dhe nuk është i miratuar për përdorim të përgjithshëm. Nëse procesi i zhvillimit dhe miratimit ecën sipas parashikimeve, ilaçi mund të dalë në treg jo më herët se viti 2027.


















