Larja e fasadës së një pallati pranë zonës se 21-it , Tiranë, në mes të ditës ka shkaktuar shqetësim për kalimtarët dhe bizneset në zonë, pasi uji i ndotur që rridhte nga lart përfundonte në trotuar dhe në ambientet përreth.
Siç duket edhe në foto, disa punonjës po kryejnë pastrimin e fasadës duke përdorur ujë nën presion, ndërsa sasi të mëdha uji të përzier me papastërti rrjedhin përgjatë godinës dhe bien poshtë, në një orar kur qarkullimi i qytetarëve është i lartë.
Sipas shqetësimit të ngritur, puna është zhvilluar pa u marrë masa të dukshme për izolimin e zonës apo për mbrojtjen e kalimtarëve dhe bizneseve përreth. Për pasojë, uji i ndotur ka lagur ambientet e jashtme të bizneseve dhe personat që kalonin pranë.
Qytetarët kërkojnë që ndërhyrje të tilla të kryhen në orare me fluks të ulët, ose të vendosen masa mbrojtëse që të shmanget ndotja dhe shqetësimi i publikut. Ata theksojnë se mirëmbajtja e fasadave është e nevojshme, por duhet të respektojë rregullat e sigurisë dhe të mos cenojë aktivitetin normal të bizneseve apo lëvizjen e qytetarëve.


















