Kryeministri dhe njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë mbledhjes me drejtuesit politikë të PS-së dhe kryetarët e komisioneve parlamentare, deklaroi se synimi i mandatit të ri është ndërtimi i një marrëdhënieje të re mes qytetarëve dhe qeverisë.
Rama vuri theksin edhe te nevoja për hapjen e Partisë Socialiste ndaj brezave të rinj dhe ideve të reja, duke sqaruar se rinovimi nuk lidhet vetëm me moshën, por edhe me mendësinë.
“Të qëndrosh gjatë në pushtet nuk do të thotë t’u zësh rrugën të rinjve, por t’u krijosh hapësirë. Nga ana tjetër, t’u hapësh rrugën të rinjve nuk do të thotë t’ua dorëzosh Shqipërinë atyre që vetëshpallen forca të reja vetëm sepse nuk kanë qenë në pushtet. Duhet të hapim partinë, vendimmarrjen dhe procesin qeverisës për njerëz të rinj në mendësi, të krijojmë hapësirë për ide të reja dhe të formojmë drejtues, jo thjesht ndjekës”, u shpreh ai.
Kreu i qeverisë shtoi se synimi është që Partia Socialiste të jetë në funksion të qytetarëve dhe shtetit, e jo anasjelltas.
“Duam t’i japim jetë një raporti të ri mes qytetarit dhe qeverisë, duke e vënë partinë në shërbim të qytetarit dhe të shtetit, jo qytetarin dhe shtetin në shërbim të partisë”, deklaroi Rama.
Duke folur për qëndrimin në pushtet, kryeministri theksoi se Partia Socialiste nuk largohet nga qeverisja për shkak të protestave, pasi legjitimiteti i saj buron nga vota e qytetarëve dhe shumica parlamentare.
Sipas tij, në një demokraci pushteti nuk trashëgohet dhe as nuk dorëzohet sipas dëshirës së kujtdo, por fitohet dhe humbet vetëm përmes votës.
“Një parti politike nuk e trashëgon timonin e pushtetit dhe as nuk ka të drejtë ta lëshojë atë sepse disa të tjerë duan ta marrin. PS qeveris për aq kohë sa qytetarët ia besojnë këtë përgjegjësi dhe për aq kohë sa ka shumicën në Kuvend”, tha Rama.
Ai nënvizoi se as kryeministri nuk mund të vendosë vetë se kush duhet të jetë në qeveri apo në opozitë, pasi ky është një vendim që u takon vetëm qytetarëve përmes votës.
Në fund, Rama reagoi edhe ndaj thirrjeve për dorëheqjen e tij, duke u shprehur se nuk mund të largohet nga detyra vetëm sepse një pakicë e kërkon këtë.
“‘Rama, jep dorëheqjen’ është një refren që mua madje më energjizon. Por të braktisësh detyrën vetëm sepse një pakicë e thërret në kor, do të ishte shmangie nga një përgjegjësi e madhe”, përfundoi kryeministri.


















