Shqiptari Santiago Sadiku, 34 vjeç, është dënuar me burg në Gloucester të Anglisë, pasi policia i zbuloi drogë dhe mbi 26 mijë paund cash, një pjesë e të cilave ishin fshehur në papafingon e banesës.
Sadiku u arrestua pas një operacioni antidrogë në zonën Barton, ku policia sekuestroi kokainë, kanabis dhe telefonin e tij. Nga analizimi i celularit u zbuluan mesazhe në WhatsApp që, sipas hetuesve, provonin se ai shiste kokainë dhe kanabis.
Gjatë kontrollit të banesës, efektivët gjetën në papafingo një çantë të verdhë JD Sports me 20 mijë paund në kartëmonedha.
Në dhomën e gjumit u zbulua një tjetër çantë me 4,500 paund, 20 paund në monedhë skoceze, ndërsa në një shishe plastike ishin grumbulluar monedha me vlerë rreth 2,100 paund.
Në total, policia sekuestroi rreth 26,620 paund cash. Sadiku u deklarua fajtor për akuzat e ngritura ndaj tij dhe u dënua nga Gjykata e Kurorës në Gloucester.


















