Një plan arratisjeje që duket si skenar filmi ishte përgatitur nga një i dënuar në Filipine. Park Wang-yeol, i dënuar me 60 vite burg për vrasjen e tre bashkëkombësve të tij koreano-jugorë, planifikoi të largohej nga burgu duke përdorur një dron të fuqishëm, të aftë të ngrinte një person në ajër.
Park u dënua për vrasjen e tre koreano-jugorëve në Filipine në vitin 2016, në një çështje që në Korenë e Jugut u bë e njohur si “vrasjet e fushës së kallamit të sheqerit”.
Plani i pazakontë parashikonte përdorimin e një droni “heavy-lift”, me kapacitet për të transportuar rreth 75 kilogramë. Pajisja madje u testua, ndërsa pamjet treguan një person të varur poshtë dronit dhe të ngritur disa metra në ajër.
Për përgatitjen e arratisjes, Park raportohet se kishte shpenzuar rreth 100 milionë won koreano-jugorë, ose afërsisht 74 mijë dollarë.
Por pikërisht testimi i dronit mund të ketë fundosur të gjithë planin. Pamjet e fluturimit të pazakontë u publikuan në mediat filipinase dhe, sipas raportimeve, më pas u ndryshua orari i transferimit të Parkut, duke bërë që arratisja të braktisej.
Rasti bëhet edhe më i pazakontë pasi Park raportohet se ishte arratisur dy herë më parë nga paraburgimi në Filipine, në vitet 2017 dhe 2019.

















