Një rrjet i sofistikuar kriminal, që përdorte një agjenci imobiliare për të siguruar prona dhe për t’i shndërruar ato në ferma kanabisi, është goditur në Britaninë e Madhe. Pesë persona u dënuan në Gjykatën e Lutonit, pasi hetimet zbuluan 19 shtëpi bari, ku u sekuestruan afro 2 mijë bimë kanabisi.
Në qendër të skemës ishte kompania Condor Estates, e cila, sipas policisë, përdorej për sigurimin e pronave, hartimin e kontratave të rreme të qirasë dhe lehtësimin e aktivitetit të kultivimit të kanabisit.
Drejtori i kompanisë, Sarfraz Farooq, 46 vjeç, konsiderohet një nga figurat kryesore të rrjetit. Ai përdorte prona të pronarëve të ligjshëm, të cilët ia kishin besuar agjencisë për t’i dhënë me qira dhe besonin se kontratat dhe pagesat që merrnin ishin të rregullta.
Një rol qendror në ngritjen e fermave kishte edhe Uan Gogu, 42 vjeç. Sipas hetimeve, Gogu siguronte instalimin e pajisjeve të posaçme hidroponike në pronat e lidhura me Farooq. Ai ishte gjithashtu i përfshirë në ndërhyrjet e paligjshme në matësit e energjisë elektrike, të cilat krijuan rrezik serioz dhe shkaktuan zjarre në tre prej pronave.
Operacioni policor u zhvillua në vitin 2024 në 20 prona, 19 në Luton dhe një në Milton Keynes. Në 19 prej tyre u zbuluan ferma kanabisi, ndërsa në pronën tjetër u gjetën pajisje për kultivimin e drogës.
Policia sekuestroi afro 2,000 bimë, me vlerë deri në 800 mijë paund. Sipas përllogaritjeve të autoriteteve britanike, nëse aktiviteti nuk do të ishte zbuluar, fermat mund të prodhonin kanabis me vlerë rruge mbi 2 milionë paund brenda vetëm një viti.
Sarfraz Farooq u dënua me 8 vjet e 4 muaj burg dhe iu ndalua të ushtronte funksionin e administratorit të një kompanie për 10 vjet.
Uan Gogu u dënua me 6 vjet e 6 muaj burg. Zohaib Riaz Ali, 33 vjeç, mori 4 muaj burg, të pezulluar për 12 muaj, ndërsa Glentjan Sefaj, 29 vjeç, u dënua me 8 muaj burg, të pezulluar për 18 muaj. Mohammed Farooq, 76 vjeç, mori 9 muaj burg, të pezulluar për 12 muaj, për rolin e tij në pastrimin e parave.
Hetimi u zhvillua nga ekipi Operation Costello, në kuadër të goditjes së krimit të organizuar në Bedfordshire.

















