Një “biznes” familjar droge që mund të gjeneronte deri në 9 mijë paund brenda një nate. Kështu funksiononte rrjeti i kokainës në Britani, në qendër të të cilit, sipas autoriteteve, qëndronin tre anëtarë të familjes shqiptare Balesi: babai, djali dhe xhaxhai.

Rezart Balesi
Skema ishte e organizuar: klientët porosisnin kokainën përmes WhatsApp-it, porositë u kalonin shpërndarësve dhe droga dërgohej te blerësit. Si bazë e aktivitetit, sipas provave të paraqitura në gjykatë, përdorej një lokal në Greenmount, Bury.

Në krye të grupit ishte Rezart Balesi, 44 vjeç, i cili u dënua me 7 vite e 6 muaj burg. Djali i tij, Joshua Balesi, 22 vjeç, mori 4 vite burg, ndërsa vëllai i Rezartit, Refail Balesi, 39 vjeç, u dënua me 5 vite e 3 muaj.
Detajet e zbuluara gjatë hetimit treguan për një aktivitet intensiv, me dhjetëra shitje në ditë dhe të ardhura që, sipas mesazheve të sekuestruara, mund të arrinin deri në 9 mijë paund vetëm brenda një nate.
Por një nga detajet që tërhoqi më shumë vëmendjen në sallën e gjyqit ishte përfshirja e Joshua Balesit në aktivitetin kriminal që në moshën 18-vjeçare. Gjykatësja kritikoi ashpër të atin për këtë vendim, duke i thënë se duhej të “kishte turp përgjithmonë” që kishte përfshirë djalin e tij në trafikun e drogës.

Rrjeti besohet se ka funksionuar nga maji i vitit 2024 deri në mars 2026, përpara se hetimi i autoriteteve britanike të çonte në goditjen e tij dhe dënimin e disa personave të përfshirë.


















