Napoleon Bonaparti njihet si një nga strategët dhe udhëheqësit ushtarakë më të fuqishëm të historisë, por larg fushave të betejës, letrat që i dërgonte Joséphine de Beauharnais zbulojnë një burrë krejt tjetër: të dashuruar marrëzisht, të paduruar, xheloz dhe të trazuar sa herë që ajo vononte t’i shkruante.
Napoleoni dhe Joséphine u martuan më 9 mars 1796. Vetëm dy ditë më vonë, ai u largua për të marrë drejtimin e Ushtrisë së Italisë. Distanca mes tyre solli një korrespondencë që sot përbën një nga dëshmitë më interesante të jetës private të Napoleonit.

Në letrat e tij, gjenerali që komandonte mijëra ushtarë numëronte ditët që kalonin pa marrë përgjigje nga gruaja e tij.
Në mars 1796, pasi kishin kaluar disa ditë pa marrë asnjë letër prej saj, ai i shkruante Joséphine-s:
“Katër ditë pa letër nga ti.”
Heshtja e saj e shqetësonte. Në të njëjtën periudhë, Napoleoni shkruante se mendimet e tij të para sapo zgjohej ishin për Joséphine-n dhe se kujtimi i saj nuk e linte të qetë.
Në një tjetër letër shfaqet edhe më i hapur:
“Nuk jam xheloz, por ndonjëherë jam i shqetësuar.”

Por ndoshta një nga letrat më të pazakonta është ajo e 23 nëntorit 1796. I zemëruar që Joséphine nuk po i shkruante, Napoleoni e nis me fjalë që sot do të tingëllonin si paralajmërim për fundin e marrëdhënies:
“Nuk të dua më; përkundrazi, të urrej.”
Megjithatë, vetëm pak rreshta më tej bëhet e qartë se shpërthimi vinte pikërisht nga dëshira e tij për të marrë vëmendjen e saj. Ai e pyeste se çfarë bënte gjatë gjithë ditës dhe përse nuk gjente kohë t’i shkruante burrit që e dashuronte.
Dhe pas gjithë zemërimit, letra përfundonte në një mënyrë krejt tjetër:
“Një milion puthje, madje edhe Fortuné-s, pavarësisht ligësisë së tij.”
Fortuné ishte qeni i Joséphine-s, të cilin Napoleoni nuk e kishte veçanërisht për zemër.
Në letrat e tjera, pasioni bëhet edhe më i dukshëm. Në një prej tyre ai i shkruante:
“Të dua deri në çmenduri.”
Kjo ishte kontradikta e madhe e Napoleonit: njeriu që përballonte ushtritë e Europës dukej se e kishte shumë më të vështirë të përballonte heshtjen e gruas që dashuronte.
Marrëdhënia e tyre nuk pati një fund përrallor. Martesa u trondit nga tradhtitë dhe problemet personale, ndërsa mungesa e një trashëgimtari biologjik u bë vendimtare. Në vitin 1809 ata ranë dakord për divorc, i cili u formalizua në janar 1810.

Më shumë se dy shekuj më vonë, korrespondenca e tyre na lejon të shohim përtej uniformës, betejave dhe legjendës së perandorit.
Napoleoni mund të pushtonte qytete dhe të mposhtte ushtri, por mjaftonin katër ditë pa një letër nga Joséphine që ai të humbiste qetësinë.


















