Një shtetas shqiptar, 25 vjeç, ka përfunduar në burg në Gjermani pasi nuk kishte mundësi të paguante një gjobë prej 3.200 eurosh, të vendosur nga drejtësia gjermane për drejtim automjeti pa leje drejtimi.
Sipas Policisë Federale Gjermane, i riu u ndalua gjatë një kontrolli rutinë në një autobus ndërkombëtar, në kufirin mes Gjermanisë dhe Holandës, në zonën e Bad Bentheim.
Ngjarja ndodhi rreth orës 01:35, kur efektivët e policisë kufitare kontrolluan dokumentet e pasagjerëve. Gjatë verifikimit të identitetit të 25-vjeçarit shqiptar, rezultoi se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti.
Autoritetet konstatuan se shqiptari ishte dënuar më parë për drejtimin e një automjeti pa patentë, ndërsa nuk kishte shlyer detyrimin financiar të përcaktuar nga gjykata.
Për të shmangur burgimin, 25-vjeçari duhej të paguante shumën prej 3.200 eurosh. Megjithatë, ai nuk kishte mundësi financiare për ta paguar gjobën në momentin e ndalimit.
Për pasojë, policia zbatoi urdhrin e arrestit dhe e transferoi të riun në një institucion penitenciar, ku do të vuajë dënimin zëvendësues prej afro një muaji e gjysmë.
Rasti është bërë publik më 15 tetor 2026 nga Policia Federale Gjermane, përmes platformës së njoftimeve zyrtare Presseportal.


















