Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Verucchio të Italisë, pranë kufirit me San Marinon, ku një shqiptar 34-vjeçar është gjetur i pajetë në parkingun e një diskoteke. Rrethanat e vdekjes mbeten ende mister, ndërsa dëmtimet e konstatuara në fytyrën e viktimës kanë ngritur pikëpyetje mbi atë që mund t’i ketë ndodhur.
Sipas mediave italiane, trupi i shqiptarit u zbulua mbrëmjen e 14 tetorit, rreth orës 23:30, në parkingun e diskotekës Vision Club. Ishte një kalimtar ai që vuri re trupin e pajetë dhe njoftoi menjëherë autoritetet.
Në vendngjarje mbërritën ekipet e urgjencës dhe karabinierët, por për 34-vjeçarin nuk mund të bëhej më asgjë.
Nga këqyrja paraprake e trupit, hetuesit konstatuan dëmtime në fytyrë, të cilat mund të jenë shkaktuar nga një rrëzim. Megjithatë, autoritetet nuk kanë përcaktuar ende nëse shqiptari ka humbur jetën si pasojë e një problemi të papritur shëndetësor, një aksidenti apo një ngjarjeje tjetër.
Sipas raportimeve të fundit të gazetës italiane Il Resto del Carlino, 34-vjeçari kishte mbërritur së fundmi në Itali së bashku me partneren e tij, në kërkim të një jete më të mirë. Ai po kërkonte punë në sektorin e ndërtimit dhe dyshohet se kishte gjetur një mundësi punësimi si murator.
Vdekja e papritur ka ndërprerë planet e tij për të nisur një jetë të re në Itali.
Karabinierët po punojnë për të rindërtuar lëvizjet e fundit të shqiptarit dhe për të zbardhur rrethanat në të cilat ai përfundoi i pajetë në parking.
Për datën 16 tetor ishte parashikuar kryerja e autopsisë, e cila pritet të japë përgjigje mbi shkakun e vdekjes dhe natyrën e dëmtimeve të konstatuara.
Deri më tani, identiteti i viktimës nuk është bërë publik nga autoritetet apo mediat italiane.
Hetimet vijojnë, ndërsa shkaku i vdekjes mbetet ende i papërcaktuar.


















