Një bandë e organizuar grabitësish shqiptarësh është goditur nga drejtësia britanike pas një serie vjedhjesh spektakolare që kapin vlerën e mbi 1 milion paundë.
Endrit Nikolli, u dënua me 10 vite burg për komplot për kryerje vjedhjeje në banesa me qëllim përfitimi dhe për vjedhje; Gjergj Lleshaj, 31 vjeç, u dënua me 13.5 vjet burg; Sidorjan Lleshi, 26 vjeç u dënua me 10 vjet e 9 muaj. Gjykata mori në konsideratë edhe 15 raste të tjera vjedhjeje.
Kristian Gropcaj, 30 vjeç, u dënua me 15 vjet, ndërsa Jade Tubb, 33 vjeçe, e dashura e Nikollit , u dënua me një vit burg me pezullim për dy vjet për posedim të pasurisë kriminale.
Sipas hetimeve, grupi përdorte zakonisht shkallë për të hyrë në dritaret dhe ballkonet e kateve të para të banesave. Më pas ata grabisnin bizhuteri, çanta luksoze, ora të shtrenjta dhe para në dorë, duke u larguar menjëherë nga vendngjarja.
Një provë ADN-je e gjetur në vendin e një grabitjeje në një banesë në Staffordshire u identifikua si e Endrit Nikollit.
Gjithashtu, përmes sistemit të njohjes automatike të targave (ANPR), hetuesit identifikuan automjete që kishin qenë të pranishme në të gjitha rastet e grabitjeve. Një Ford Focus i kuq, i siguruar në emër të Kristian Gropcajt, u pa në shumë prej incidenteve, së bashku me një makinë me qira të rezervuar nga Jade Tubb.
Verifikimet telefonike treguan se Gropcaj kishte kontakte të rregullta me Nikollin, Lleshajn dhe anëtarë të tjerë të grupit. Katër burrat takoheshin shpesh në një kafene në zonën Jewellery Quarter në Birmingham.


















