Një i ri me origjinë rumune, që jeton në Dublin të Irlandës, vendosi të ndryshojë gjatësinë e tij duke iu nënshtruar një operacioni të kushtueshëm për zgjatjen e këmbëve në Turqi, financuar përmes një kredie bankare.
Marius Gros, 1.70 metra i gjatë, rrëfen se megjithëse ishte i kënaqur me pamjen e tij fizike, kishte dëshiruar gjithmonë të ishte më i gjatë. Ideja për ndërhyrjen kirurgjikale i lindi pasi pa video në TikTok të personave që kishin kryer të njëjtën procedurë.

Operacioni konsiston në thyerjen e kontrolluar të kockave të këmbëve dhe vendosjen e një strukture metalike, e cila i largon gradualisht ato gjatë procesit të shërimit, duke bërë të mundur rritjen e gjatësisë.

“Mesatarja e gjatësisë në Irlandë, ku jetoj, duket se është më e lartë se në Rumani, vendi nga vij. Kjo më ka bërë gjithmonë të ndihem disi i pasigurt. Kur mësova se ekzistonte kjo procedurë, u intrigova dhe vendosa ta bëja”, tha ai.

Historia e tij ka ngjallur diskutime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë e konsiderojnë ndërhyrjen një sakrificë të madhe për arsye estetike, ndërsa të tjerë e shohin si një zgjedhje personale për të rritur vetëbesimin.
















