Londër – Bandat kriminale shqiptare në Britaninë e Madhe po akuzohen se kanë avancuar mënyrën e organizimit të fermave të paligjshme të kanabisit, duke ofruar një shërbim të plotë për kthimin e banesave në ambiente të dedikuara për kultivimin e drogës.
Sipas raportimeve të mediave britanike, grupet kriminale reklamojnë në rrjetet sociale shërbime që përfshijnë pajisjet, instalimin dhe përgatitjen e ambienteve për nisjen e një ferme kanabisi.
Anëtarë të grupeve kriminale paraqiten si ekipe ndërtimi dhe mbërrijnë me automjete të mbushura me pajisje të ndryshme, duke përfshirë fidanë kanabisi, sisteme hidroponike dhe ndriçim të posaçëm.
Në këtë mënyrë, një banesë e zakonshme mund të përshtatet në një kohë të shkurtër për kultivim të paligjshëm, duke e kthyer aktivitetin kriminal në një lloj shërbimi të gatshëm për përdorim.
Fenomeni ka ngritur shqetësime të reja për autoritetet britanike, pasi organizatat kriminale po shfaqin një nivel gjithnjë e më të lartë profesionalizimi dhe specializimi në prodhimin e kanabisit.
Përveç fitimeve të mëdha nga droga, përdorimi i banesave të zakonshme e bën më të vështirë identifikimin e aktivitetit kriminal. Një grup që shfaqet si kompani ndërtimi mund të fshehë pas një aktiviteti në dukje normal një operacion të organizuar për kultivimin e kanabisit.
Autoritetet britanike vijojnë përpjekjet për goditjen e rrjeteve të organizuara që merren me kultivimin dhe shpërndarjen e kanabisit, ndërsa mënyrat e reja të funksionimit të këtyre grupeve po konsiderohen një sfidë në rritje për policinë.


















