Pamje të pazakonta janë publikuar nga një kompani pastrimi në Tiranë, e cila tregon gjendjen e rëndë në të cilën ishte lënë një apartament i marrë me qira.
Në videon e publikuar nga Pastrimi.al, ambientet shfaqen të mbushura me mbeturina dhe sende të grumbulluara, ndërsa punonjësve u është dashur një operacion i gjatë pastrimi për ta kthyer banesën në gjendje normale.
Atom News kontaktoi administratorët e kompanisë, të cilët thanë se, sipas informacionit që u ishte dhënë, në apartament kishte jetuar prej rreth katër muajsh një grua.
“Punonjësve tanë iu deshën mbi 10 orë punë. Nga apartamenti u nxorën më shumë se 80 thasë të zinj me plehra”, u shprehën për Atom News përfaqësuesit e kompanisë.
Ata thanë gjithashtu se kishin marrë informacion se personi që banonte aty mund të kishte pasur probleme të shëndetit mendor. Atom News nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë pretendim, ndaj identiteti dhe gjendja shëndetësore e personit nuk bëhen publike.
Pamjet “para dhe pas” tregojnë përmasat e punës së kryer, ndërsa rasti ka tërhequr vëmendje pas publikimit të videos në rrjetet sociale.


















