Ekzekutimi me armë zjarri i Artan Murtajt, i njohur si “Tani i Ruzhdiut”, ka rikthyer në vëmendje një seri ngjarjesh të rënda kriminale të regjistruara në Sarandë gjatë muajve të fundit.
44-vjeçari u qëllua për vdekje paraditen e së dielës në qendër të qytetit. Sipas raportimeve paraprake, dy persona të maskuar dhe të hipur në një motor iu afruan dhe hapën zjarr ndaj tij. Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe një kalimtar, Xhevdet Skëndaj.
Hetuesit po shqyrtojnë të kaluarën e viktimës dhe konfliktet ku emri i tij është përmendur, ndërsa një nga pistat që po verifikohet lidhet me ngjarjet që nisën pas plagosjes së dyfishtë të korrikut 2025.
Më 17 korrik 2025, Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj u plagosën me armë zjarri në Sarandë. Për autorësinë e plagosjes u dyshua Ramadan Zoto, ndërsa Artan Murtaj, Klaus Jaçaj dhe Erjon Canaj u përfshinë në hetime nën dyshimin se kishin ndihmuar autorin gjatë ose pas ngjarjes.
Tre ditë më vonë, Murtaj u arrestua për veprën penale të “Përkrahjes së autorit të krimit”. Ai ishte liruar nga burgu pak kohë përpara se të ekzekutohej.
Pas plagosjes së korrikut, në Sarandë u regjistruan edhe episode të tjera të rënda. Një shpërthim goditi një automjet pranë banesës së Klaus Jaçajt, ndërsa në tetor 2025 babai i tij, Isuf Jaçaj, humbi jetën pas një atentati me eksploziv të vendosur në automjet.
Kjo seri ngjarjesh ka bërë që hetuesit të verifikojnë nëse vrasja e “Tanit të Ruzhdiut” mund të lidhet me konfliktet e mëparshme dhe një zinxhir hakmarrjesh. Megjithatë, deri në këtë fazë nuk është bërë publik një përfundim zyrtar që provon se këto episode kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ekzekutimin e Murtajt.
Një tjetër drejtim hetimi është e kaluara e 44-vjeçarit. Emri i tij rezulton i përmendur më parë në kronikën e zezë, ndërsa mediat raportojnë edhe një dënim të mëparshëm për vjedhje.
Policia po punon gjithashtu për identifikimin e dy autorëve të dyshuar që u larguan me motor pas atentatit, ndërsa kamerat e sigurisë në zonë pritet të jenë një nga elementët kryesorë për rindërtimin e itinerarit të tyre.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar motivin dhe për të zbuluar nëse ekzekutimi i Artan Murtajt ishte pjesë e konflikteve të vjetra apo lidhet me një përplasje tjetër ende të panjohur për autoritetet.


















