Një shtetas shqiptar është dënuar me 10 vite burg në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u shpall fajtor për një seri grabitjesh banesash të kryera në disa qarqe të Anglisë gjatë viteve 2023–2025.
Gledis Uka, 30 vjeç, u dënua nga Maidstone Crown Court, pasi pranoi fajësinë për 19 nga 33 akuzat që rëndonin mbi të. Sipas hetimeve, ai udhëtonte drejt Britanisë vetëm gjatë muajve të dimrit, ku kryente grabitje në banesa në juglindje të vendit dhe më pas largohej, duke u rikthyer sërish sezonin pasardhës.
Hetimi nisi në dhjetor 2023, pas dy grabitjeve në zonën e Edenbridge, në Kent, ku autori kishte thyer dyer dhe dritare për të hyrë në banesa, duke vjedhur kryesisht bizhuteri. Në të dy vendngjarjet policia gjeti gjurmë gjaku, të cilat më vonë u kthyen në provën kyçe që çoi në identifikimin e tij.
Me kalimin e kohës, policia zbuloi se grabitje me të njëjtën mënyrë veprimi po ndodhnin edhe në Kent, Surrey, Berkshire, Bristol, Buckinghamshire, Essex, Londër dhe Suffolk, gjithmonë në periudhën tetor–janar.
Pas një hetimi të gjatë dhe analizave forenzike, Uka u arrestua në Essex në janar 2026, duke i dhënë fund asaj që autoritetet e përshkruan si një seri grabitjesh sezonale.
Detektivja Celia King tha se 30-vjeçari nuk kishte asnjë pendesë për viktimat e tij, pasi hynte me forcë në banesa, shkaktonte dëme të konsiderueshme dhe vidhte sende me vlerë materiale dhe sentimentale.
Sipas policisë britanike, hetimi ishte kompleks për shkak të kohës së gjatë mes grabitjeve dhe faktit se autori vepronte në qarqe të ndryshme, por provat e ADN-së bënë të mundur lidhjen e të gjitha ngjarjeve me të dhe arrestimin e tij.



















