Një operacion i gjerë antidrogë në veri të Italisë ka çuar në arrestimin e tetë shtetasve shqiptarë dhe sekuestrimin e mbi 340 kilogramëve lëndë narkotike. Hetimet zbuluan një rrjet serrash të fshehta, të pajisura me teknologji të avancuar për kultivimin e kanabisit.
Operacioni i koduar “Oro Verde” (Ari i Gjelbër) u zhvillua nga karabinierët e kompanisë së Bra-s, në provincën e Cuneos, nën koordinimin e Prokurorisë së Asti-t.
Bilanci i operacionit është tetë persona të arrestuar dhe pesë të tjerë të denoncuar në gjendje të lirë.
Hetimet kishin nisur në janar të vitit 2026, pas një monitorimi të hollësishëm të territorit. Gjatë disa muajve, hetuesit arritën të identifikonin një rrjet të gjerë plantacionesh të fshehta, të shpërndara mes provincave Cuneo dhe Torino.
Ndërhyrjet e koordinuara të karabinierëve çuan në zbulimin dhe çmontimin e serrave në komunat Sanfrè, Castellinaldo dhe Bene Vagienna, në provincën e Cuneos, si dhe në Ceres, në zonën malore të Lanzo-s, në provincën e Torinos.
Serra të sofistikuara dhe një rrjet i organizuar
Sipas hetuesve italianë, personat e përfshirë kishin krijuar një strukturë të organizuar, me njohuri të specializuara në kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura.
Serrat ishin pajisur me sisteme ajrimi, ndriçim artificial që imitonte spektrin diellor, vaditje automatike dhe plehra të posaçme, me qëllim përshpejtimin e rritjes së bimëve dhe shtimin e prodhimit.
Hetimet zbuluan gjithashtu se grupi nuk kufizohej vetëm në prodhimin e lëndëve narkotike. Sipas autoriteteve, të dyshuarit u ofronin edhe grupeve të tjera kriminale njohuritë e tyre për ngritjen dhe funksionimin e serrave të paligjshme.
Mbi 340 kilogramë drogë dhe para të sekuestruara
Gjatë kontrolleve, karabinierët sekuestruan mbi 340 kilogramë lëndë narkotike, përfshirë bimë kanabisi në fazën e lulëzimit, të gatshme për t’u prerë, si dhe marijuanë të tharë dhe të paketuar për shpërndarje.
U sekuestruan gjithashtu 200 gramë hashash dhe shuma të konsiderueshme parash të gatshme.
Vlera e drogës së sekuestruar në tregun ilegal përllogaritet në rreth 500 mijë euro.
Tetë shqiptarë të arrestuar
Sipas ANSA-s, të tetë personat e arrestuar janë shtetas shqiptarë. Pesë prej tyre u arrestuan në flagrancë, ndërsa tre të tjerët në zbatim të masave të paraburgimit të vendosura nga autoritetet gjyqësore.
Përveç veprave penale që lidhen me prodhimin, kultivimin dhe mbajtjen e lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen, ndaj të dyshuarve është ngritur edhe akuza e vjedhjes së rënduar të energjisë elektrike.
Sipas hetuesve, serrat furnizoheshin me energji përmes lidhjeve të paligjshme që anashkalonin matësit elektrikë, duke ulur kostot e prodhimit dhe duke shmangur faturat e pazakonta të energjisë.
Pozita ligjore dhe përgjegjësia individuale e personave të përfshirë do të përcaktohen gjatë procedurave gjyqësore.


















