“Telefonata aksidentale e fundosi” – Trafikanti i kokainës telefonoi pa dashje policinë me celularin që përdorte për shitjen e drogës, përfundon në burg
Një trafikant droge është dënuar me katër vite burg pasi u tradhtua nga një telefonatë aksidentale që bëri me celularin që përdorte për të shitur kokainë.
Darren Eastwood, 31 vjeç, pranoi akuzat për furnizim me kokainë, posedim të lëndëve narkotike me qëllim shitjeje dhe posedim të pasurisë me origjinë kriminale. Ai u dënua nga Gjykata e Maidstone Crown Court.
Sipas policisë së Kentit, gjithçka nisi më 11 janar, kur Eastwood telefonoi pa dashje numrin 112, linjën europiane të emergjencës. Edhe pse telefonata përmbante vetëm zhurma në sfond dhe ai refuzoi të identifikohej kur policia e telefonoi sërish, hetuesit arritën të konfirmonin se celulari i përkiste atij.
Pesë ditë më vonë, më 16 janar, oficerët e arrestuan në Sevenoaks, ku iu gjetën doza kokaine, para në dorë dhe dy telefona celularë.
Kontrollet në dy adresa të lidhura me të çuan në sekuestrimin e rreth 150 gramëve kokainë dhe 79,500 paundëve cash.
Detektivi Mark Simcox deklaroi se telefonata aksidentale “i vulosi fatin”, pasi konfirmoi dyshimet e policisë se Eastwood drejtonte një linjë të shpërndarjes së drogës.
Policia e Kentit theksoi se operacioni çoi në largimin nga qarkullimi të një sasie të konsiderueshme droge, sekuestrimin e mijëra paundëve dhe dërgimin në burg të autorit.


















