Një operacion i përmasave të jashtëzakonshme ka çuar në burg gjashtë persona, pasi policia britanike zbuloi 4,863 bimë kanabisi brenda një ish-njësie industriale në Mansfield. Sipas Nottinghamshire Police, bëhet fjalë për sekuestrimin më të madh të kanabisit në historinë e kësaj force policore, me një vlerë të përllogaritur në rrugë prej rreth 4.8 milionë paundësh.
Gjithçka nisi më 2 maj, kur një efektiv i ekipit të policimit të lagjes Mansfield po patrullonte pranë pub-it “Bold Forester” dhe ndjeu një erë të fortë kanabisi që vinte nga zona industriale aty pranë, në Botany Avenue.
Një ditë më vonë, policia u rikthye me një operacion të gjerë ku morën pjesë efektivë të disa njësive, qen policie dhe dronë. Pas hyrjes në godinë, ata u përballën me një fabrikë të mirëorganizuar të kultivimit të kanabisit.
Në katin e parë ishin ngritur ambiente të mëdha kultivimi, të pajisura me sistem të sofistikuar ujitjeje, ndriçim, ventilatorë dhe kamera sigurie për monitorimin e objektit.
Personat që qëndronin aty kishin marrë masa të shumta për të vështirësuar zbulimin dhe ndërhyrjen e policisë. Hyrje të ndryshme ishin mbyllur me tulla dhe dërrasa, ndërsa dy dyer prej çeliku ishin salduar.
Brenda objektit policia gjeti dy ambiente të mëdha kultivimi, një zonë për tharjen dhe përpunimin e kanabisit, si dhe hapësira banimi me gjashtë shtretër, kuzhinë dhe dush. Furnizimi me energji elektrike ishte ndërhyrë në mënyrë të paligjshme dhe të rrezikshme.
Në momentin e bastisjes, të gjashtë burrat tentuan të fshiheshin në pjesë të ndryshme të ndërtesës. Njëri prej tyre u zbulua i fshehur poshtë kutive të kartonit nga qeni i policisë, Chaos.
Të arrestuarit pranuan fajësinë për përfshirje në prodhimin e drogës së klasës B gjatë paraqitjes në Nottingham Crown Court më 2 qershor. Më 30 qershor, gjykata i dënoi ata me mbi 13 vite burg në total.
Të dënuarit janë:
- Artu Rugu, 44 vjeç – 3 vite e 4 muaj burg
- Ardit Gjonaj, 37 vjeç – 3 vite burg
- Lanti Avapi, 45 vjeç – 2 vite burg
- Elton Salihasi, 41 vjeç – 2 vite burg
- Robert Ruko, 48 vjeç – 2 vite burg
- Eldis Beneri, 34 vjeç – 1 vit e 10 muaj burg
Detektivi Charles Cawthorne e përshkroi rastin si një operacion kriminal shumë të organizuar dhe të sofistikuar, të ngritur për prodhimin dhe furnizimin e mëtejshëm me kanabis.
Sipas tij, përmasat e zbulimit janë të paprecedenta për Nottinghamshire, ndërsa masat e marra për fortifikimin e godinës tregojnë përpjekjet e mëdha që ishin bërë për të mbajtur aktivitetin kriminal të fshehtë.


















