Shkuan për kontroll në banesën e një efektivi policie në arrest shtëpie, por përfunduan të pezulluar. Bëhet fjalë për disa punonjës të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), të cilët u pezulluan përkohësisht pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku pretendohet se shfaqen duke bërë komente të papërshtatshme ndaj turisteve në Sarandë.
Në një reagim zyrtar, AMP sqaroi se ngjarja ka ndodhur më 11 qershor 2026, kur punonjësit e saj, së bashku me efektivë të Policisë së Shtetit, ndodheshin në Sarandë për zbatimin e një urdhri kontrolli të lëshuar nga prokurori për banesën e efektivit të policisë A.I, i cili ndodhet nën masë sigurimi “arrest në shtëpi” dhe është nën hetim për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Sipas AMP-së, gjatë ekzekutimit të urdhrit, efektivi fillimisht refuzoi të hapte derën e banesës për ushtrimin e kontrollit.
Pas publikimit të videos, Agjencia ka vendosur pezullimin e përkohshëm të punonjësve që pretendohet se janë të përfshirë në pamje dhe ka nisur procedimin disiplinor për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Ndërkohë, AMP bën me dije se po kryhen edhe veprimet e para procedurale, ndërsa materialet do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për vlerësim dhe ndjekje të mëtejshme.


















