Është identifikuar viktima e ngjarjes tragjike që ndodhi mesditën e së mërkurës në fshatin Domen, njësia administrative Postribë, në Shkodër, ku një banesë u përfshi nga flakët.
Viktima është Bleona Çelaj, 24 vjeçe, e cila humbi jetën së bashku me dy fëmijët e saj të mitur, të moshës 1 dhe 4 vjeç.
Sipas informacioneve paraprake, e reja dhe dy fëmijët ishin kthyer së fundmi nga Gjermania dhe ndodheshin në banesën e vjetër të familjes në fshatin Domen.
Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse është vështirësuar për shkak të terrenit të thyer, pasi banesa ndodhet rreth 30 minuta në këmbë larg rrugës kryesore.
Grupi hetimor vijon punën për të përcaktuar shkakun e zjarrit dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Deri më tani, hetimet janë përqendruar te pista e një zjarri aksidental, ndërsa nuk përjashtohen edhe pista të tjera.

















