Një edukatore e një kopshti privat në Tiranë është arrestuar, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një fëmije 2-vjeçar.
Në pranga ka përfunduar 32-vjeçarja Brunilda Haxhiu, e cila punonte në kopshtin privat “Lala”, në rrugën “Aleksandër Moisiu”, në zonën e ish-Kinostudios.
Ngjarja u denoncua nga babai i të miturit, i cili vuri re shenja dhune në fytyrën e djalit të tij. Fillimisht, ai e dërgoi fëmijën në spital për ekzaminime mjekësore, ku u konstatua një mavijosje në faqe dhe skuqje në veshë.
Gjatë marrjes në pyetje, 32-vjeçarja ka pranuar se e ka goditur fëmijën me shpullë, duke pretenduar se ai nuk po flinte dhe se nuk po arrinte ta qetësonte.
Sipas burimeve, pamjet e kamerave të sigurisë kanë dokumentuar momentin kur edukatorja ushtron dhunë fizike ndaj 2-vjeçarit, prova që kanë shërbyer edhe për arrestimin e saj. Hetimet për rastin vijojnë.


















