Një shqiptar 27-vjeçar, aktualisht i burgosur në Korydallos, dyshohet se qëndronte në krye të një organizate kriminale që trafikonte kokainë në ishujt grekë Kos dhe Kalymnos. Hetimet kanë zbuluar një rrjet të organizuar me role të ndara, furnizime me kilogramë drogë dhe komunikime përmes aplikacioneve të koduara.
Zhvillimi më i fundit në këtë çështje është lirimi me garanci prej 3.000 eurosh i një shtetasi grek 31-vjeçar, i dyshuar si pjesëtar i organizatës. Ai u paraqit para hetueses në Kos më 15 tetor dhe mohoi kategorikisht akuzat. Gjykata vendosi gjithashtu ndalimin e daljes së tij nga Greqia dhe paraqitjen çdo muaj në polici.
Sipas gazetës greke Dimokratiki, hetuesit dyshojnë se shqiptari 27-vjeçar kishte kryer të paktën katër udhëtime për furnizimin e rrjetit me kokainë. Vetëm gjatë periudhës prill–korrik 2025, një furnizues dyshohet se i kishte dërguar të paktën tre kilogramë drogë.
Dokumentet hetimore përmendin dy furnizime të mëdha: një kilogram kokainë me vlerë 45.000 euro më 13 prill 2025 dhe dy kilogramë të tjerë me vlerë 90.000 euro më 10 korrik.
Një nga detajet më të pazakonta të hetimit lidhet me përdorimin e vendeve të fshehta për shpërndarjen e drogës. Sipas policisë, një shqiptar që në atë periudhë ishte 17 vjeç dyshohet se fshihte pakot e kokainës në pika të ndryshme të ishullit Kos, i filmonte dhe ia dërgonte pamjet drejtuesit të dyshuar të organizatës.
Hetuesit kanë identifikuar të paktën 112 video të tilla. Disa nga vendet e fshehjes ndodheshin pranë një shkolle në Kos.
Në dosje përmenden edhe shtetas të tjerë shqiptarë, të cilët dyshohet se kishin role në shpërndarjen e drogës dhe administrimin e pagesave.
Ndërkohë, 31-vjeçari grek i liruar me garanci kundërshton përfshirjen në organizatë. Avokatët e tij pretendojnë se akuza mbështetet kryesisht në një bisedë në aplikacionin Signal dhe se identifikimi i klientit të tyre është i pabazuar.
Hetimet për veprimtarinë e dyshuar të rrjetit gjatë viteve 2024–2025 vijojnë, ndërsa identiteti i shqiptarit 27-vjeçar nuk është publikuar në raportimin e fundit të medias greke.


















