Shqiptari përplas makinën e karabinierëve në Itali, një polic shpëton duke u hedhur mbi kofano! Arrestohet 37-vjeçari
Një shqiptar 37-vjeçar është arrestuar në provincën e Reggio Emilias, në Itali, pas një ndjekjeje me makinë që përfundoi me përplasjen e automjetit të karabinierëve.
Sipas raportimeve të mediave italiane, gjatë përpjekjes për t’i shpëtuar kontrollit, drejtuesi i automjetit dyshohet se tentoi të godiste edhe një efektiv policie. Karabinieri arriti të shmangte përplasjen duke u hedhur mbi kofanon e makinës.
Ngjarja u raportua më 16 tetor 2026, ndërsa autoritetet italiane nisën procedurat ndaj 37-vjeçarit. Një person tjetër që ndodhej me të arriti të largohej dhe nuk u kap gjatë ndërhyrjes së policisë.
Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi rreth orës 23:30 të 15 tetorit, në rrugën Via Bacone, në zonën Masone. Karabinierët i dhanë shenjë ndalimi një automjeti tip Alfa Romeo Tonale, por drejtuesi nuk iu bind urdhrit dhe u largua me shpejtësi në drejtim të Parmës.
Menjëherë nisi një ndjekje në tangjencialen e qytetit. Sipas hetuesve, 37-vjeçari kreu parakalime të rrezikshme dhe manovra që vunë në rrezik edhe drejtuesit e tjerë të automjeteve.
Situata u përshkallëzua pranë daljes së Gavassës. Në momentin kur patrulla tentoi të afrohej për ta ndaluar, drejtuesi i Alfa Romeos bëri një kthesë të fortë majtas, duke goditur makinën e karabinierëve. Nga përplasja, automjetit të policisë iu dëmtua goma e përparme e djathtë, duke e bërë të pamundur vazhdimin e lëvizjes.
Por ngjarja nuk përfundoi me kaq. Sipas karabinierëve, shqiptari drejtoi automjetin drejt njërit prej efektivëve që kishte dalë nga makina. Polici arriti të shmangte goditjen duke u hedhur mbi kofano.
Më pas, 37-vjeçari dhe personi që e shoqëronte braktisën automjetin dhe u larguan me vrap nëpër fusha, duke kapërcyer barrierën mbrojtëse të rrugës. Gjatë arratisjes, disa automjete u detyruan të frenonin papritur për të shmangur aksidentet.
Karabinierët arritën ta ndiqnin dhe ta arrestonin drejtuesin e automjetit, ndërsa bashkëpunëtori i tij u largua.
Gjatë kontrollit, shqiptarit iu gjetën mbi 2.600 euro para të gatshme dhe dy telefona celularë, të cilët u sekuestruan.
Një tjetër detaj doli nga verifikimet e policisë: e njëjta makinë Alfa Romeo Tonale rezultonte e përfshirë në një ndjekje tjetër me Policinë Rrugore të Bolonjës, më 10 tetor. Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse në atë rast automjeti drejtohej nga i njëjti person.
Pas arrestimit, 37-vjeçari iu nënshtrua një kontrolli mjekësor për shkak të një shqetësimi të përkohshëm shëndetësor dhe më pas u dërgua në qeli, në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.
Ai akuzohet për rezistencë ndaj punonjësve të rendit, mosbindje ndaj urdhrit të ndalimit duke rrezikuar përdoruesit e rrugës dhe dëmtim të rënduar të pronës.
Identiteti i shqiptarit nuk është bërë publik.


















