Një email kërcënues, që paralajmëronte vendosjen e një bombe në disa institucione publike, ka shkaktuar alarm dhe angazhim të strukturave të Policisë së Shtetit.
Mesazhi, i dërguar nga një adresë emaili e huaj, përmbante kërcënime të rënda dhe pretendimin se në godinat e institucioneve ishte vendosur një lëndë shpërthyese, e cila do të aktivizohej brenda pak orësh.
Pas marrjes së njoftimit, autoritetet nisën menjëherë verifikimet dhe kontrollet e sigurisë në institucionet e prekura. Deri në përfundim të kontrolleve, nuk është konstatuar asnjë bombë apo pajisje shpërthyese.
Në Vlorë, mes institucioneve që kanë marrë emailin kërcënues kanë qenë Gjykata, Bashkia, Prokuroria, spitali dhe disa institucione të tjera.
Në operacion u angazhua edhe Njësia Speciale Operacionale e Policisë së Vlorës, e cila kreu kontrolle të imtësishme në ambientet e godinave, përfshirë verifikimin për lëndë ose pajisje shpërthyese.
Mesazhe të ngjashme raportohet se janë dërguar edhe në disa institucione në Berat.
Policia vijon hetimet për identifikimin e autorit ose autorëve që qëndrojnë pas emailit kërcënues, ndërsa deri tani alarmi nuk ka rezultuar i bazuar në një rrezik real të konstatuar në terren.


















