Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar vendimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për t’i hequr Anuela Ristanit kompetencat e deleguara, duke e interpretuar këtë lëvizje si një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit Edi Rama.
Sipas Berishës, momenti i zgjedhur nga Veliaj për të ndërmarrë këtë veprim tregon se përplasja mes dy figurave socialiste ka hyrë në një fazë të re.
“Akti i djeshëm i Erion Veliajt dëshmon përfundimisht se Edi Rama po bëhet një kalë i ngordhur që dalin tani t’ia heqin dhe patkonjtë”, deklaroi Berisha.
Kryedemokrati e cilësoi vendimin si “fillimin e hapur të sulmit” të Veliajt ndaj Ramës, duke pretenduar se kryeministri ndodhet në një pozicion gjithnjë e më të dobët politik.
“Momenti që u zgjodh nga Erion Veliaj për t’i hedhur dorezën dhe për ta sfiduar në mënyrë përfundimtare është dëshmi e dobësisë ekstreme të Edi Ramës”, tha ai.
Berisha iu referua gjithashtu vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me procedurën për shkarkimin e Veliajt, ndërsa argumentoi se zhvillimet e fundit duhen parë në kuadrin e një beteje politike mes kryeministrit dhe kryebashkiakut të Tiranës.
Duke folur për Anuela Ristanin, Berisha tha se heqja e kompetencave të deleguara nënkupton që ato mbeten në duart e Veliajt. Sipas tij, përmes kësaj lëvizjeje kryebashkiaku po i dërgon Ramës mesazhin: “Dil në mejdan të tregoj se sa vlen ti”.
Kreu i PD-së tha se përplasjen mes tyre e konsideron një zhvillim pozitiv politik, por theksoi se pasojat e situatës në Bashkinë e Tiranës i vuajnë qytetarët.
“Sa më shumë të shkërmoqen, t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit, aq më shumë e meritojnë”, përfundoi Berisha.


















