Korça është kthyer sërish në kryeqendrën e teatrit dhe komedisë shqiptare. Edicioni i 13-të i KoKo Fest ka ngritur siparin me shfaqjen muzikale “Katedralja”, duke çelur një maratonë artistike që do të zgjasë për më shumë se një javë.
Në garën e këtij viti janë 9 shfaqje, të sjella nga trupa dhe produksione të ndryshme shqiptare. Publiku korçar do të ketë mundësinë të ndjekë mbrëmje ku humori ndërthuret me emocione, mesazhe të forta dhe forma të ndryshme të artit skenik.
Festivali sjell në skenë disa prej emrave më të njohur të teatrit shqiptar, mes tyre Viktor Zhusti, Luiza Xhuvani dhe Alfred Trebicka. Krahas artistëve me një karrierë të gjatë, KoKo Fest i ka rezervuar një hapësirë të rëndësishme edhe brezit të ri të aktorëve.
Për pjesëmarrësit, festivali është shndërruar ndër vite në një nga takimet më të rëndësishme të komedisë shqiptare, por edhe në një urë që bashkon breza të ndryshëm artistësh në të njëjtën skenë.
Për më shumë se një javë, Korça do të jetojë nën ritmin e teatrit. Çdo mbrëmje, skena e KoKo Fest do të bëjë bashkë artistët dhe publikun përmes humorit, emocioneve dhe mesazheve që shkojnë përtej të qeshurës.


















