Një vrasje e rëndë ka tronditur Athinën, ku një 52-vjeçar, i njohur me nofkën “Papagalos” (Papagalli), është ekzekutuar me armë zjarri teksa udhëtonte me motoçikletë.
Sipas medias greke Proto Thema, hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që vrasja të ketë lidhje me konflikte mes viktimës dhe personave të përfshirë në trafikun e drogës, mes tyre edhe grupe kriminale nga Shqipëria.
Në qendër të hetimeve është vendosur edhe një incident me armë zjarri i ndodhur në prill, pranë konvikteve studentore në Athinë. Sipas informacioneve të policisë greke, në atë ngjarje dyshohet se ishte i pranishëm edhe vëllai i një personi nga Shqipëria, i njohur për aktivitet kriminal.
Autoritetet po verifikojnë gjithashtu informacionet se grupe kriminale shqiptare mund të kenë përdorur konviktet studentore si baza për aktivitetet e tyre.
Viktima, e njohur me nofkën “Papagalos”, kishte qenë më parë në vëmendjen e policisë për disa vepra penale dhe dyshohej se kishte lidhje me një grup tifozësh të organizuar.


















