Një studim i ri shkencor ka ngritur shqetësime mbi një efekt anësor të mundshëm të barnave të njohura për humbjen e peshës dhe trajtimin e diabetit, si Mounjaro, Ozempic dhe Wegovy.
Sipas hulumtimit, personat që përdorin ilaçet e grupit GLP-1 mund të kenë një rrezik më të lartë për zhvillimin e alopecisë, një formë e rënies së flokëve.
Studimi analizoi të dhënat elektronike të rreth 50 mijë pacientëve nga Sistemi Shëndetësor i Universitetit të Pensilvanisë, duke krahasuar rastet e rënies së flokëve tek pacientët që trajtoheshin me barna GLP-1 me ata që përdornin medikamente të tjera për diabetin. Rezultatet duket se forcojnë dyshimet e ngritura më herët nga raportimet e pacientëve.
Autoritetet rregullatore në Shtetet e Bashkuara kanë marrë prej kohësh raportime që lidhin rënien e flokëve me përdorimin e semaglutidit (Wegovy dhe Ozempic) dhe tirzepatidit (Mounjaro).
Edhe në Mbretërinë e Bashkuar janë regjistruar qindra raste të ngjashme. Sipas Agjencisë së Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA), vetëm gjatë vitit 2026 janë raportuar 399 raste të rënies së flokëve të lidhura me tirzepatidin, ndërsa gjatë vitit të kaluar u regjistruan 541 raportime.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto të dhëna nuk provojnë përfundimisht se ilaçet janë shkaku i drejtpërdrejtë i rënies së flokëve. Ekspertët vlerësojnë se nevojiten studime të tjera për të përcaktuar nëse efekti lidhet me vetë medikamentin apo me humbjen e shpejtë të peshës, e cila dihet se mund të shkaktojë përkohësisht rënie të flokëve.


















