Një 31-vjeçar është arrestuar nga Komisariati i Policisë Nr. 4 në Tiranë, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një të mitur 13-vjeçar dhe e ka mbajtur atë në banesë kundër dëshirës së tij.
Në pranga është vënë Julian Alla, i cili, sipas burimeve, është i njohur në zonë edhe për përdorimin e lëndëve narkotike.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur mbrëmjen e 23 korrikut. Sipas hetimeve paraprake, 31-vjeçari e ka marrë të miturin në banesën e tij, ku dyshohet se e ka ngacmuar seksualisht për rreth dy orë dhe më pas nuk e ka lejuar të largohej.
Ka qenë vetë 13-vjeçari që ka bërë kallëzimin në polici, në prani të prindërve dhe psikologes. Pas denoncimit, policia ka nisur hetimet, të cilat kanë çuar në arrestimin e 31-vjeçarit.
Julian Alla pritet të përballet me akuzat për “Ngacmim seksual” dhe “Heqje të paligjshme të lirisë”.
Gjatë marrjes në pyetje, 31-vjeçari ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë, ndërsa fajësia e të dyshuarit do të përcaktohet nga organet e drejtësisë.


















