Ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, është paraqitur këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të dhënë dëshminë e tij në procesin gjyqësor që lidhet me dosjen “Partizani”.
Ruli është thirrur nga gjykata në cilësinë e dëshmitarit për të sqaruar procedurat dhe vendimmarrjet institucionale të periudhës kur ai drejtonte Ministrinë e Ekonomisë, në kohën kur po zhvilloheshin proceset që lidhen me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Në seancat e mëparshme ishte paralajmëruar se ai do të dëshmonte në vijim të shqyrtimit gjyqësor të çështjes.
Dosja “Partizani” ka në qendër të hetimeve procedurat e privatizimit dhe zhvillimit të pronës së ish-kompleksit sportiv në Tiranë. Në këtë proces janë të pandehur ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe persona të tjerë.
Sipas akuzës, ndryshime ligjore dhe vendimmarrje të ndërmarra gjatë periudhës së qeverisjes së Berishës favorizuan përfitime të paligjshme në lidhje me këtë pronë. Procesi në GJKKO vijon me marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe shqyrtimin e provave të paraqitura nga palët


















